Hoxhaj: Kurti po shpërfaq hipokrizinë politike të një autokrati inatçor

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për hipokrizi, pas refuzimit që ai bëri për takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në një takim që është jashtë mbledhjes së dy qeverive.

Hoxhaj në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se hipokrizia e Kurtit po shpërfaqet në sjelljen e tij, siç ka thënë ai, të një feudali mesjetar e autokrati inatçi.

“Hipokrizia politike e Albin Kurtit shpërfaqet në sjelljen e tij si të një feudali mesjetar dhe autokrati inatçor, që deri sa ishte në opozitë fliste për bashkim kombëtar dhe sot nuk mund të bashkohet në takim me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama!”, ka shkuar Hoxhaj.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do ta vizitojë sot pasdite Kosovën, në një tur ballkanik në kuadër të Procesit të Berlinit që e nisë paradite në Maqedoninë e Veriut.

Rama pritet të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, nga ora 16:00 e kryetarin e Kuvendit të Kosovës në orën 17:15.

Por Rama në agjendën që e ka publikuar në Facebook ka shkruar se është “në pritje të konfirmimit” të takimit me kryeministrin Albin Kurti, i cili të mërkurën tha se është i gatshëm ta presë Ramën në takim vetëm në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, përndryshe jo.

Rama të enjten ka njoftuar se janë nënshkruar 13 marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Kosovës, që ishin paraparë të nënshkruheshin në mbledhjen e dy qeverive më 14 qershor, e cila ishte anuluar nga kryeministri Rama.

Ai ka thënë se pas nënshkrimit të marrëveshjeve, pret nga kryeministri i Kosovës që të konfirmojë takimin me të, të enjten pasdite.