Kosova përfiton mbi 130 milionë euro fonde nga BE-ja

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Bisnik Bislimi, ka bërë të ditur se me miratimin në Qeveri të nismës për marrëveshjet financiare për IPA 2021, IPA 2022 dhe IPA III, Kosova përfiton mbi 130 milionë euro fonde nga BE-ja.

“IPA III do shërbejë si marrëveshje kornizë që Kosova të përfitojë nga fondet e BE-së të ofruara në kuadër të Instrumentit të Para-anëtarësimit për programet vjetore IPA 2021-2027. Nga programet vjetore IPA 2021 dhe IPA 2022, Kosova përfiton përkatësisht 63.96 milionë për IPA 2021 dhe 70.25 milionë euro nga IPA 2022”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Sipas tij, këto fonde do shërbejnë për zbatimin e projekteve si deminimi, përkrahja për komunat, instrumenti i përafrimit me BE-në, përkrahja për mjedisin, tregtia dhe tregu i brendshëm, përkrahja për bujqësinë dhe zhvillimin rural, kthimi dhe riintegrimi i komuniteteve, përkrahja për profesionet e lira në Kosovë, energjia e gjelbër dhe efiçienca e energjisë, ekonomia qarkore dhe menaxhimi i mbeturinave, ujërat e zeza dhe zhvillimi gjithëpërfshirës socio-ekonomik.