Kurti – Blinkenit: Vuçiqi s’kishte gatishmëri për takim trepalësh në Bruksel


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.

Për këtë ka njoftuar Zyra e Kryeministrit. Sipas njoftimit ata kanë diskutuar edhe për gjendjen në veri e procesin e dialogut me Serbinë.

Kurti citohet t’i ketë thënë Blinkenin se takimi trepalësh në Bruksel nuk ka ndodhur për shkak të mosgatishmërisë së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pë t’u takuar.

“U diskutua për dialogun me zyrën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell për deeskalim dhe normalizim, me ç’ rast kryeministri Kurti e njoftoi sekretarin Blinken për takimin bilateral të së enjtes së javës së kaluar, që nuk u bë edhe trilateral për shkak të mosgatishmërisë së presidentit të Serbisë”, thuhet në njoftim.

“Kryeministri Kurti dhe Sekretari Blinken bashkëbiseduan për gjendjen në katër komunat veriore të Kosovës, për zgjedhjet e reja që duhen paraprirë nga sundimi i ligjit, për ekstremistët e dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës e gazetarët, për tri nënkryetaret serbe në Leposaviq, Zveçan e veri të Mitrovicës, për konfiskimin e armatimit e municionit të shumtë në një veturë me targa të Beogradit, për nevojën për zbatim të plotë, të sekuencuar drejt e pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit, si dhe për lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia në Leposaviq por pasi që atyre iu ngrit aktakuza e për çfarë Departamenti i Shtetit Amerikan i pari kërkoi lirim të menjëhershëm e pa kushte”, thuhet tutje në njoftim.

Të dy thuhet se janë pajtuar që të mbeten në komunikim të rregullt e të dendur, siç thekohet, në funksion të paqes e sigurisë në Kosovë e drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Sipas njoftimit Kurti e ka falënderuar Blinkenin për siç thuhet, mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të SHBA-së për Kosovën, si dhe e ka informuar atë për të arriturat e Kosovës në fushat e ekonomisë, demokracisë e të sundimit të ligjit.