Kurti del me ofertë për QUINT-in për depërshkallëzim të situatës në veri

Kryeministri i Kosovës ka bërë të ditur se në takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it ka bërë ofertën e tij për depërshkallëzimin e situatës në veri dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ai ka thënë se gjatë ditës së djeshme ka folur me shefin e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ambasadorin amerikan, ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier dhe të dërguarin e BE-së- Miroslav Lajçak.

Kurti është shprehur se sunddimi i ligjit në komunat veriore duhet të bëhet menjëherë, të identifikohen, arrestohen dhe të gjykohen anëtarët e grupeve kriminale.

Një prej pikave ka qenë edhe mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore.

Këto janë pesë pikat e propozuara nga Kurti:

“E para pikë në letrën time drejtuar z. Borrell pas telefonatës është sundimi i ligjit në katër komunat veriore të krijohet duke përfshirë identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar policinë e Kosovës, pjesëtarët e NATO-s dhe gazetarët. EULEX-i është i ftuar të monitorojë drejtpërdrejt thelbin e proceseve gjyqësore.”

“Pika e dytë, grupet e dhunshme tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal ndaj institucioneve të Kosovës, në bazë të parimit të proporcionalitetit numri i pjesëtarëve të policisë së Kosovës në tri objektet komunale në veri të Kosovës do të zvogëlohet në përputhje me rrethanat.”

“Policia e Kosovës dhe KFOR-i apo EULEX-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë për të krijuar ambient të sigurt e pa rreziqe për të gjithë dhe për të mbështetur masat e sundimit të ligjit.”

“Qeveria e Kosovës do të koordinohet me të gjithë akterët dhe do të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri.”

“Dhe 5, Kosova dhe Serbia rikthehen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, Bashkimi Evropian siguron një plan renditje të drejtë dhe të balancuar për zbatimin e marrëveshjes bazike në Bruksel dhe Aneksin ne Ohër. Udhëheqësit e dy shteteve takohen në një nivel të lartë të dialogut këtë javë”.