Kurti: Kosova ka vuajtur nga papunësia dhe shkelja e të drejtave në punë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur për 1 Majin – Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Kurti tha se Kosova ka vuajtur edhe nga papunësia por edhe nga shkelja e të drejtave në punë.

“Jemi duke u përpjekur që krahas zgjerimit të punësimit, të eliminojmë në maksimum shkeljet e të drejtave në punë. Jemi të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën e kemi gjetur punëtorin, por do të vazhdojmë të jemi të pakompromis në rregullimin e kushteve të punës dhe respektimin e të drejtave të tij të garantuar me Kushtetutë”, tha Kurti.

Ai ka prezantuar disa hapa që i ka ndërmarrë qeverisja e tij e që prekin direkt jetën e punëtorëve.

I pari i Qeverisë së Kosovës tha se është hartuar Projektligji për Pagën Minimale, i cili pret që shumë shpejt të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

“Me qëllim shtimin e inspektimeve për zbatim sa më të mirë të ligjit të punës është ndarë buxheti për të shtuar numrin e inspektorëve në terren. Ndërkohë që në buxhetin e këtij viti kemi paraparë 240 inspektorë shtesë në sektorë të ndryshëm”, theksoi ai.

Ai theksoi se janë marrë masa që nxisin punësimin, me theks të veçantë të grave e të rinjve.

” Me masën 1.3, rreth 5 mijë gra më shumë janë punësuar, ndërkaq përmes platformës ‘Superpuna’ kemi mbështetur punësimin e të rinjve, me ç’rast nga muaji shkurt janë realizuar 4501 marrëdhënie pune përmes kësaj platforme (deri në çastin e këtij postimi)”, tha i pari i ekzekutivit.

Albin Kurti, ndër të tjera tha se janë rritur pagat në sektorin publik e po ashtu është mbështetur edhe rritja e pagave për 17 mijë punëtorët e sektorit privat.