Kurti: Kush ka vajza botën ka

Është bërë lansimi i Fushatës “Të Gëzoheni me Fëmijë”, e udhëhequr nga UNFPA në partneritet me IPKO Foundation, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë, raporton Ekonomia Online.

Nga të pranishmit u pohua se fushata ka për qëllim që të rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me çështjen sensitive të abortit selektiv në Kosovë dhe ndërlidhjen e saj me qasjen e pabarabartë të vajzave në edukim, me qëllim të ndërmarrjes së nismave më efektive për ta adresuar këtë shqetësim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u adresua me një video-mesazh gjatë eventit, tha se “Vajza ë është dhurata më e çmuar – Kush ka vajza botën ka”.

“I duhet shtëpisë një djalë është një shprehje që ende e dëgjojmë në shoqërinë tonë. Dukuria që prish raportin natyror të lindjeve nuk duhet që të ketë vend më në Kosovë. Vajza jonë është dhurata më e çmuar për mua dhe Ritën. T’i themi jo praktikës dhe preferencës për djalë sepse kush ka vajzën botën  ka”, tha ai. 

Përderisa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se po punohet në vazhdimësi në përmirësimin e kushteve e shërbimeve.

“Dikush më tha ‘Ishalla gratë po e ndihmojnë këtë shoqëri se na burrat s’po mundemi”. Gratë dhe vajzat kanë qenë çdo herë promotor i lëvizjeve në çdo institucion. Kjo ditë nxjerr në pah barrierat me të cilat përballen gratë dhe vajzat. Nuk kemi të dhëna të sakta për abortin, dhe kjo është një sfidë. Në vitin 2022 janë raportuar më shumë se 1 200 aborte. Sa më të forta të jenë vajzat aq më e fortë është edhe shoqëria”.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se qasja në arsim do të jetë e barabartë për të gjithë, e sidomos për vajzat, raporton EO.

Ajo më tej shtoi se do të punojnë që gratë të jetë në forta e profesioniste duke garantuar jo vetëm fuqizimin e tyre, por edhe zhvillimin e tërë shoqërisë.

“Kjo ngjarje do të ndihmojë që të vihen në pah sfidat dhe vështirësitë që përballen vajzat. Hapa përpara po bëjmë edhe ne për vajzat. Do të sigurojmë gra të forta e profesioniste në të ardhmen duke garantuar jo vetëm fuqizimin e tyre por të tërë shoqërisë. Investimi në vajzat është investim që mundëson zhvillimin e shoqërisë së shëndosh në të ardhmen. Sfidat janë të ngjashme me të gjitha vendet e botës, po ofrojmë bursa edhe për shkollim. Aborti selektiv ndikon edhe në ekuilibrin jetësor. Mënyra më e mirë për parandalimin e kësaj dukurie ka edhe edukimi edhe arsimimi”.

Drejtoresh e UNFA-së, Visare Mujku-Nimani, tha se janë të angazhuar për të promovuar të drejta e grave në çdo sferë.

Ajo ka apeluar për trajtim të barabartë duke kërkuar që të trajtohet edhe shkaqet e pasojat e diskriminimit.

“UNFA është e angazhuar fuqimisht për të promovuar të drejtat e grave. Ne duhet të trajtojmë edhe shkaqet e diskriminimin në bazë gjinore. Mosdiskrimin nuk duhet të jetë vetëm slogan, por duhet të jetë fundament për çdo shoqëri. Ne duhet të apelojmë për trajtim të barabartë. Për të luftuat këtë dukuri duhet të punojmë në të gjitha institucionet”.