Kurti në SHBA: Aktgjykimi i Hagës ka pasaktësi faktike dhe gabime ligjore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka diskutuar për aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë gjatë një takimi në New York me kongresistin amerikan Mike Lawler.

Takimi u zhvillua gjatë qëndrimit të Kurtit në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në takim mori pjesë edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Kurti e falënderoi Lawlerin për anëtarësimin në Kaukusin për Çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan dhe për bashkëpropozimin e një rezolute në Dhomën e Përfaqësuesve që mbështet integrimin e Kosovës në NATO. Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbeten aleati më i rëndësishëm i Kosovës.

Sipas Kurtit, gjatë takimit u diskutua edhe për mundësinë e rifillimit të Dialogut Strategjik Kosovë-SHBA, me fokus në siguri, energji, investime dhe sundimin e ligjit.

Palët diskutuan gjithashtu për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe mundësitë për rritjen e investimeve amerikane në Kosovë, veçanërisht në energji, teknologji dhe prodhim. Kurti përmendi edhe rolin e mërgatës shqiptare në New York në zhvillimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare.

Një nga temat e takimit ishte edhe gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kurti kërkoi mbështetjen e kongresistit amerikan për çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi, duke thënë se kjo ndikon në të drejtën e votës dhe në qasjen në dokumentet zyrtare.

Kurti foli edhe për aktgjykimin e 16 shtatorit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ai tha se aktgjykimi përmban, sipas tij, “pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore”, duke shprehur pritjen që këto çështje të korrigjohen në procedurën e apelit.

Kurti iu referua edhe pretendimeve për trafikim organesh të lidhura me raportin e Dick Martyt, duke thënë se ato nuk u përfshinë në aktakuzën e Prokurorisë. Ai theksoi gjithashtu se gjykata nuk i gjeti të provuara akuzat për krime kundër njerëzimit.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet. Vendimi mund të apelohet.

Kurti tha se Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe kritikoi atë që e cilësoi si jotransparencë të Dhomave të Specializuara, duke kundërshtuar disa prej gjetjeve të aktgjykimit.

Në fund të takimit, Kurti e ftoi kongresistin Lawler që ta vizitojë Kosovën së bashku me një delegacion të Kongresit amerikan.