Kurti takoi Peachin: Ushtarët britanikë në Kosovë po i kontribuojnë situatës së sigurisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, për takimin e gjashtë ndërmjet tyre këtë vit.

Çështjet të cilat u diskutuan sot ishin marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet e fundit dhe situata e sigurisë në vend, përkatësisht në kufirin me Serbinë pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë dy muaj më parë, dhe dislokimin përgjatë kufirit të sistemit kundër-ajror të ushtrisë serbe, e vetmja në Evropë që operon me armatim dhe sistem raketor kinez, sikurse ai FK-3.  

U bisedua edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por edhe për takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel, si një hap dhe përpjekje e rëndësishme drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë por edhe si mundësi e humbur për të nënshkruar marrëveshjen si garanci e zbatimit të plotë.

Kryeministri Kurti falënderoi Lord Stuart Peach për bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar në fushën mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë, veçanërisht përmes misionit të KFOR-it. Theksoi se zbarkimi i një kontingjenti prej 200 ushtarëve britanikë në Kosovë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit terrorist të 24 shtatorit, po i kontribuon situatës së sigurisë.

​