Kurti tregon për gjendjen e aksidentuarve në Serbi: Të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka thënë se të gjithë të lënduarit në aksidentin e mbrëmshëm në Serbi janë jashtë rrezikut për jetë.

“Fatmirësisht të gjithë qytetarët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetë. Shpirtërisht jemi me ta derisa ata kalojnë mijëra kilometra në këto kohë të acarta të dimrit.

Sakrifica, kontributi dhe mundi i tyre për të qëndruar sa më afër familjarëve në Kosovë është për tu admiruar, urojmë që udhëtimet e tyre të jenë sa më të lehta e të sigurta, ju uroj shërim të shpejt e të plotë të gjithë të lënduarve”, u shpreh Kurti.

Kryeministri theksoi se institucionet e Kosovës do të bëjnë gjithçka për t’i ndihmuar të prekurit nga ky aksident.

“Institucionet tona janë në kontakt të vazhdueshme dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’i ndihmuar të prekurit të gjithë nga ky aksident”, tha Kurti.

Mbrëmë një autobus i linjës Prishtinë-Graz (Austri) ishte aksidentuar rreth orës 22:00 në Kupci të Madh afër Krushevcit, në Serbi ku nëntë persona u lënduan.