Ministria e Financave shpenzon vetëm 2% të buxhetit për investime kapitale, e Komuniteteve më e suksesshmja me 98%

Ministria e Financave ka shpenzuar vetëm 2 për qind të buxhetit për investimet kapitale, derisa më e suksesshmja ka dal të jetë ajo e Komuniteteve, e cila ka harxhuar 98 për qind.

Sipas të dhënave të Institutit GAP, gjatë vitit 2022, ministria që drejtohet nga Hekuran Murati është ajo që ka realizuar më pak nga investimet e parapara në buxhet.

Pas MFPT-së, vjen ajo e Industrisë me 16 për qind, derisa Ministria e Ekonomisë ka realizuar vetëm 38 për qind të investimeve.

Më së miri qëndron Ministria e Komuniteteve me 98 për qind të realizimit të investimeve dhe ajo e Mbrojtjes me 96 për qind të buxhetit të shpenzuar.

Qeveria e Kosovës vazhdimisht është kritikuar për mosrealizimin e projekteve të investimeve kapitale, ku sipas opozitës dhe njohësve të ekonomisë, realizimi i tyre është në nivele të ulëta.

Në bazë të Raportit Financiar të Thesarit të Kosovës, investimet kapitale në periudhën gjashtëmujore të 2022-së ishin vetëm 9 për qind, më e ulëta në dhjetë vitet e fundit.