Muharremi: Strategjia e Albin Kurtit do të përfundojë me humbje të plotë

Analisti politik Shenoll Muharremi ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se strategjia e tij politike është e destinuar të dështojë dhe se ai tashmë ka humbur kontrollin mbi situatën politike.

Përmes një postimi në Facebook, Muharremi ngriti një sërë pyetjesh lidhur me veprimet e Kurtit gjatë fushatës zgjedhore, duke e akuzuar atë për instrumentalizim të fëmijëve për qëllime elektorale, përdorim të religjionit në politikë dhe shfrytëzim të parasë publike për të siguruar vota, shkruan Gazeta Stop .

Sipas Muharremit, Kurti është i vetëdijshëm se mbështetja për Lëvizjen Vetëvendosje nuk është në nivelin që ai synon dhe se matjet e opinionit publik e nxjerrin partinë më afër 40 për qind sesa 60 për qind të votave.

“Është karakteri i tij i bixhozit politik ‘o krejt, o asgjë’ që po e shohim këto ditë, ku ai po abuzon jo vetëm me paranë publike për vota, por edhe me religjionin dhe fëmijët”, ka shkruar Muharremi.

Ai vlerëson se kryeministri po vepron i nxitur nga pasiguria politike dhe nga dëshira për të siguruar kontroll të plotë institucional, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit sipas preferencave të tij.

Në reagimin e tij, Muharremi ka thënë se përpjekjet për të grumbulluar të gjithë pushtetin në një dorë do të rezultojnë në humbje politike për Kurtin.

“Në fund, Albin Kurti do t’i humbasë të gjitha. Loja e tij për krejt pushtetin dhe aplikimi i metodës së rrezikshme ‘o krejt pushtetin, o asgjë’, do të rezultojë në humbjen e tij përfundimtare”, ka deklaruar ai.

Muharremi ka shtuar se sistemi demokratik në Kosovë nuk lejon kapjen totale të institucioneve dhe se kjo, sipas tij, është arsyeja pse tentativat për kontroll të plotë politik nuk mund të kenë sukses.