Murati: Mësimi nis nesër, grevistët do të pezullohen nga paga

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një konferencë, sot pasdite, ka përsëritur kërcënimin e tij se mësimdhënësit të cilët do të mbajnë grevë nuk do të paguhen.

Murati “njoftoi” se mësimi do të fillojë nesër më 1 shtator, një njoftim që e kishte bërë ministrja e dikasterit përkatës, në një konferencë paradite.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka mbajtur një konferencë për media, një ditë para fillimit të vitit të ri shkollor dhe paralajmërimit për grevë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK).

“Greva e deklaruar nga BSPK-ja ka krijuar nevojën për ato organizata buxhetore që ndikohen nga greva. Pra për shkk të vonesave, nuk ka arritur të procesohet lista e pagave. Ne çka kemi kërkuar që të na sjellin ata që janë duke punuar në mënyrë që të paguhen. Nuk është kërkuar listë e grevistëve, por vetëm ata që janë në punë”.

“Në disa komuna na kanë thënë se nuk janë në grevë por në pushim, pra mësimdhënësit kanë marrë pjesë në testin e arrtishmërisë”, tha Murati, raporton EO.

Murati tha se shpreson që nesër të fillojë procesi mësimor. 

“Deklaratat e mësimdhënësit që janë kundër grevave, dhe në disa institucione tjera, është arsyeja që kemi kërkuar listat e pagave”.

Ai shfaqi mëdyshjen se mësimdhënësit po manipulohen. 

“Jam i bindur se nesër të gjithë mësimdhënësit do të jenë në punë”.

Ai po ashtu ftoi të gjithë prindërit që t’i dërgojnë nesër fëmijët në shkollë. “Çdo ditë e humbur do të ndikojë te fëmijët”.

Në fund, ministri Murati sërish kërcënoi ata që do t’i përgjigjen ftesës së Sindikatave. Ai tha se të gjithë grevistët do të trajtohen sipas Ligjit për Greva, i cili në nenin 18, sipas tij, parasheh pezullimin nga pagesa.