Pa koordinim para Samitit, por konsiderohet e domosdoshme mbështetja e Shqipërisë për Kosovën

Samiti i Berlinit që do të mbahet në Tiranë do të jetë vend takimi i dy kryeministrave shqiptarë, Albin Kurti e Edi Rama, pas përplasjeve muajve të fundit.

Kryeministri Rama është kritikuar nga opinioni në Kosovë për qëndrimet e dhëna ditëve të fundit lidhur me situatën e tensionuar në veri, pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku.

Por eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Akri Çipa, tha se moskordinimi i Ramës dhe Kurtit për Samitin e Berlinit është element joproduktiv. Sipas tij, koordinimi i Shqipërisë me Kosovën duhet të jetë i domosdoshëm.

“Pa dyshim është një element joproduktiv në marrëdhënien ndërmjet dy shteteve dhe sigurisht edhe reflektimi që ka kjo marrëdhënie kundrejt shteteve të tjera rajonale, por edhe lidërëve të BE-së të cilët do të vijnë në Tiranë për hir të këtij Samiti. Mendoj se është një siuatë kritike rajoni jonë duke marrë parasysh edhe zhvillimet më të gjera gjeopolitike”, ka thënë Çipa.

Sipas Çipajt, dy kryeministrat shqiptarë duhet të krijojnë një marrëdhënie të re, në të cilën do të varej bashkëpunimi institucional në mes dy shteteve.

“Ka nevojë z. Rama dhe z. Kurti për të gjetur një tjetër gjuhë komunikimi jo vetëm në sensin e deklaratave, por edhe në mënëyrën se si implementojnë kërkesën kundrejt njëri tjetrit, qoftë për të harmonizuar qëndrimet, qoftë edhe për të arritur një lloj dakordësie në raport me cështjet madhore, me cështje të cilat shqetësojnë si Kosovën edhe Shqipërinë”.

Se raporti i Kosovës me Shqipëri duhet të jetë përherë në nivelin më të mirë e thotë edhe profesori Dorajet Imeri, ani se, sipas tij, për momentin nuk është për shkak të qëndrimeve të kryeministrit Edi Rama.

“Natyrisht, që një harmonizim më i mirë në mes të liderëve të të dyja vendeve do të nënkuptonte edhe një pozicion më të mirë për cdo aspekt, sidomos në atë negociues” është shprehur Imeri.

E Visar Xani, njohës politik, thekson se mbështetja e Shqipërisë për Kosovën është e rëndësishme në këtë samit, ani se nuk pati koordinim paraprak.

“Duhet një guxim politik, duhet një fuqi politike për të demaskuar realisht fytyrën e vërtetë të Serbisë dhe Beogradit. Po të njëjtën kohë Kosova pra të shfrytëzojë takimin e Tiranës edhe një mënyrë tjetër pra për të demaskuar gjithçka që ndodhi ditët e fundit përmes grupeve terroriste dhe patjetër që mbështetja e Shqipërisë është e rëndësishme në këtë aspekt”, ka theksuar tutje Xani.

Samiti i liderëve të Procesit të Berlinit për herë të parë do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian. Në Samit do të marrin pjesë edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.