Kurti shpalos detaje nga takimi në Bruksel, thotë se Borrell iu përshtat interesave të Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur sërish për takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Kurti ka shpalosur detaje nga propozimi që kishte dhënë BE-ja për çështjen e targave.

Kryeministri shtoi se propozimi nuk përmbante ndalimin e lëshimit të targave ilegale nga ana e Serbisë.

“Gjatë tetë orëve i zhvilluam 6 takime. Parakushti për targat kishte të bënte vetëm me pezullimin e veprimeve nga ana e Qeverisë së Kosovës, dhe jo me ndalimin e lëshimit të targave nga ana e Serbisë. Ne ishim të pajtimit që për ti dhënë hapësirë bisedimeve për propozimin e BE-së të pezullonim fazën e dytë të vendimit për taragt, mirëpo natyrisht atëherë kur Serbia ndalon së regjistruari vetura me targa ilegale”, tha Kurti.

Kryeministri tregoi se para fillimit të takimeve, ftesa e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell ishte e shoqëruar me një tekst me katër paragrafe që mëtonte të lëshohej si deklaratë në fund të takimeve.

“Në paragrafin e parë bëhej ftesë për përqendrim me urgjencë në propozimin e BE të përkrahur nga Gjermania e Franca për normalizim të marrëdhënieve. Në paragrafin e dytë ishte çështja e targave së bashku me granacionet për komunitetin serb që do të diskutoheshin në propozimin e BE. Kurse në paragrafin e tretë teksti bënte thirrje që të fillonin menjëherë bisedimet për propozimin e BE-së në nivel të lartë për të arritur një marrëveshje para marsit 2023”, tha Kurti.

Kurti shtoi se këtë propozim të zotit Borrell ai e ka mirëpritur.