Qeveria nis procedurat për largimin e kryetarëve në veri

Kanë nisur procedurat ligjore për largimin e kryetarëve aktualë në katër komunat veriore dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Përmes një vendimi të lëshuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është caktuar grupi punues për hartimin e udhëzimit administrativ “për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave”.

Grupi punues përbëhet nga 11 anëtarë, derisa në vendim thuhet se në procesin e hartimit të projekt-udhëzimit administrativ mbështetet nga kabineti i Ministrit të MAPL-së, Zyra e BE-së në Kosovë, përfaqësues nga ambasadat e akredituara në Republikën e Kosovës dhe OSBE-ja.

“Grupi punues është përgjegjës për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave. Grupi punues duhet të finalizojë projekt-udhëzimin administrativ dhe ta procedojë te Zyra e Sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së deri më datën 01 shtator 2023”, thuhet në njoftim.