SBASHK-u dorëzon kallëzim penal për minsitrin Hekuran Muratin

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka njoftuar të enjten se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për Ministrin e Financave dhe Transferëve, Hekuran Murati, pas vendimit për ndalimin e pagave për punëtorët që janë në grevë.

“Ne nuk do të ndalemi. Do t’i drejtohemi instancave më të larta për të kërkuar të drejtat tona. SBASHK-u e ka dërguar në Prokurori kallëzimin penal ndaj Hekuran Muratit. Buxheti i Kosovës është edhe me djersën tonë. Ne nuk po i kërkojmë Muratit që pagën e vet t’ia japë mësimdhënësve, por t’ua japë atyre që u shërbejnë popullit”, ka thënë Jashari në një konferencë për shtyp.

Jasharaj u bëri thirrje mësimdhënësve të mos dorëzohen përballë shantazheve nga Qeveria, pasi thotë se “janë në rrugën e Zotit.

“I kemi harxhuar të gjitha mundësitë për të dialoguar me Qeverinë. Kemi dërguar edhe një ndërmjetësues. Nuk e kemi mendjen me tradhtu zërin tuaj sepse po punojmë sipas zërit tuaj. T’i lutemi Zotit bashkë që Qeveria Kurti të dialogojë. Pa të ofruar asnjë zgjidhje dhe vetëm kërcënime, e kanë të kot sepse ne jemi në rrugën e Zotit. Greva do të përfundojë kur të thoni ju, kur Qeveria t’i zgjidh problemet tona. Greva do të përfundojë ashtu siç është shpallur, përmes mediave. Greva ka me përfundu, por dikush në fund ka me u turpëru. E ai që do të turpërohet është Hekuran Murati, i cili po përdor kërcënime të ulëta. Nëse dorëzohemi, këta nuk kanë me dit me u ndal me veprime të tjera”, shtoi ai.

Greva në institucionet arsimore po mbahet në pothuajse të gjitha shkollat e vendit sot, pavarësisht thirrjeve të Qeverisë ndaj mësimdhënësve për të mos respektuar vendimin e SBASHK-ut.