Kryeministri Kurti thirrje serbëve që t’i riregjistrojnë veturat me targa RKS

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, iu është drejtuar sërish qytetarëve serbë në Kosovë, për t’i njoftuar se që nga sot kanë afat 61 ditë për t’i konvertuar targat e tyre në RKS.

Kurti përmes një videoje të publikuar në Facebook, ka thënë se targat që lëshon Serbia për serbët në Kosovë, kanë skaduar në tetor të vitit të kaluar, teksa ua kujtoi atyre se ato janë nga koha e Millosheviqit.

“Targat janë trashëgimi i regjimit të Millosheviqit. Kjo trashëgimi është një barrë që nuk do të duhej ta mbani ju. Përveç kësaj, ajo po synon të ju mbajë në të kaluarën dhe të izoluar”, tha ai.

Kryeministri tutje i njoftoi serbët se konvertimi i targave do të kryhet në 34 Qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve, deri më 31 tetor.

“Nga sot e deri më 31 tetor, për gjithsej 61 ditë në 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve do ta zhvillojmë procesin e konvertimit të targave të veturave të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës…. Në Kosovë janë gjithsej 401.945 vetura me targa RKS. Prej tyre dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen përbëjnë vetëm rreth 2% të tyre”, tha Kurti.

Sipas tij, qytetarët që i ndërrojnë targat, lirohen nga taksa e detyrime tjera që arrijnë vlerën deri në 5,000 euro.

“Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, pronarë të veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që t’i konvertojnë ato në targa RKS në dy muajt e ardhshëm gjatë të cilëve janë të liruar nga taksa e detyrime që arrijnë vlerën deri në 5.000 euro”, tha Kurti.