Scholz: Marrëveshja me Serbinë duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës.

Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Scholz tha se për dialogun duhet qëndrim konstruktiv, duke thënë se një marrëveshje përfundimtare do të kontribuonte në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Marrëveshja përfundimtare duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen pjesë e BE-së”, tha Scholz.

Ndërkaq, i pyetur për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën nëse kanë ndërmarrë diçka që t’i bindin shtetet skeptike, kancelari Scholz ka thënë:

“Ne angazhohemi që liberalizimi i vizave të vijë sa më shpejt, pasi kushtet janë plotësuar dhe për këtë flasim me partnerët tanë që edhe ata të binden siç jemi bindur ne”.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, sot ka nisur turin në Ballkan me vizitën në Kosovë.

Scholz në Kosovë po ashtu pritet të vizitojë edhe trupat gjermane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.

Fokusi i udhëtimit është perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, si dhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 4 maj ishte në Gjermani për një vizitë zyrtare me ftesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Ky ishte takimi i parë i kryeministrit Kurti me kancelarin Scholz. Në një konferencë të përbashkët për media pas një takimi që kishin realizuar të dy liderët pa praninë e mediave, Scholz kishte theksuar se çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen hap pas hapi me idenë që të kulmojë në paqen dhe stabilitetin rajonal.

Mes tjerash Scholz pati theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe krijimit të një tregu të përbashkët rajonal brenda Procesit të Berlinit.

Po ditën e sotme kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të udhëtojë për në Beograd, ndërsa të shtunën ai viziton Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, në kuadër të turneut të tij në Ballkanin Perëndimor.