Specialja mund ta shkurtojë përtej 1 prillit 2025 dëgjimin e dëshmitarëve të ZPS

1 shtatori 2025 është projeksioni i nxjerrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve të saj në rastin ku po gjykohen krerët e UÇK-së të dyshuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Sidoqoftë, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, e ka lënë të hapur mundësinë që trupi gjykues ta shkurtojë edhe më tej kohën e dëgjimit të dëshmitarëve në emër të gjykimit të drejtë e në kohë të arsyeshme.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dhënë zotim për përfundim të paraqitjes së provave, përfshirë edhe të dëshmitarëve të saj, brenda dy vjetësh në rastin ku po gjykohen krerët e UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në konferencën e fundit për ecurinë e çështjes për këtë javë për rastin ku të akuzuar janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ZPS-ja është zotuar se 1 prilli 2025 përmbyll edhe dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë.

E në një intervistë për KOHËN, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, e ka lënë të hapur mundësinë që numri i dëshmitarëve të reduktohet, duke e shkurtuar edhe kohën e gjykimit.

“Një rol i rëndësishëm i gjyqtarëve gjatë shqyrtimit gjyqësor është që procesi të shkojë me afat të arsyeshëm. Trupi gjykues në këtë rast ka nxjerrë një vendim lidhur me ecurinë e procesit që me të vërtetë u bën thirrje palëve që të bëjnë gjithçka që munden teksa zhvillohet procesi që të respektohen afatet e paraqitura. Dhe në të ardhmen, nëse është e mundshme, në vazhdën e procesit, ndoshta koha për deklaratat e palëve apo edhe numri i dëshmitarëve mund të reduktohen. Por kjo është diçka që evoluon gjatë procesit, pra është me rëndësi që gjyqtarët dhe palët t’i rrinë gati kësaj gjatë procesit. Çka dimë tash është një zotim prej ZPS-së që synojnë ta përfundojnë pjesën e tyre deri në prill të 2025-s. E gjatë zhvillimit të rastit gjyqtarët do të vendosin se cilët janë ata urdhra që t’i lëshojnë që gjykimi të jetë i drejtë e në afat të arsyeshëm”, ka thënë zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle.

Rreth 15 media kanë shprehur interesim deri tash për t’i përcjellë deklaratat hyrëse në galerinë e hapur të Speciales ku gazetarët do të mund ta përcjellin gjykimin drejtpërdrejt, por jo edhe të raportojnë drejtpërdrejt për të– pasi s’do të kenë qasje në pajisje elektronike.

Kjo ndalesë, sipas Doyle, është masë mbrojtëse në rast se shpalosen informatat e mbrojtura me ligj.

Por ka thënë se lëvizja në hapësirat e ndryshme të Gjykatës për ta do të jetë e mundshme.


“Nëse e shikon gjykimin në anglisht, shqip apo serbisht gjithmonë është një vonesë 45-minutëshe dhe kjo është masë parandaluese, për shembull nëse ndonjë prej pjesëmarrësve në gjykim shpalos paqëllimshëm informacione lidhur me ndonjë dëshmitar që është i mbrojtur apo informata të tjera konfidenciale…Pra, gazetarët e kanë mundësinë të lëvizin nga galeria publike për te qendra mediale, ku nuk i kanë këto kufizime dhe sigurisht nëse ndërkohë ka informata që redaktohen, do t’i njoftojmë gazetarët që do të jetë me rëndësi që të mos raportohet tutje për të”, ka thënë Doyle.

Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale e sipas versionit të aktakuzës së ZPS-së për vrasje, torturë, trajtim mizor të atyre që i kanë parë si kundërshtarë në rajone të ndryshme e në periudha të ndryshme prej marsit 1998 deri në shtator 1999.

Fjalët hyrëse për këtë rast janë paraparë më 3, 4 dhe 5 prill 2023, për të vazhduar me provat e Prokurorisë deri më 1 prill 2025.

Pas kësaj faze, rregullat e Gjykatës parashohin paraqitjen e provave nga mbrojtja e të akuzuarve, paraqitjen e fjalëve përfundimtare dhe dosjeve përfundimtare.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast sipas afateve të dhëna nga ZPS-ja, mbrojtja e rregullat e gjykatës pritet të bëhet në vitin 2026.