Takimi i Kurtit me ambasadorët, ZKM: Kryeministri shprehu gatishmërinë t’i adresojë shpejt shqetësimet e ngritura

Ambasadorët, të ngarkuarit dhe shefat e misioneve diplomatike të vendeve të huaja që qëndrojnë në Kosovë ishin sot në zyrë te kryeministri Albin Kurti.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se ambasasdorët ishin atje me ftesë të Kurtit dhe se shefi i Qeverisë së bashku me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati ua kanë sqaruar punën e rregullores që, ndër tjerash, synon ta largojë nga përdorimi dinarin serb në Kosovë. Kjo, siç njoftoi edhe ZKM, ishte çështja kryesore që u diskutua. Sipas njoftimit, Kurti ka shprehur gatishmërinë për ta adresuar shpejt çdo shqetësim të ndërkombëtarëve në lidhje me këtë çështje.

“Ata sqaruan që rregullorja nuk ka cak ndalimin e dinarit apo të ndonjë valute tjetër, por synim ka rregullimin bankar dhe financiar në Kosovë. Rrjedhimisht rritjen e integritetit financiar të vendit dhe kufizimin e financimit të aktiviteteve ilegale, pastrimin e parasë, qarkullimin e parave të falsifikuara dhe formalizimin e ekonomisë”, njoftoi ZKM.

“Nga ana e Qeverisë u theksua se asnjë biznes lokal në pronësi të qytetarëve serbë në Kosovë ose në komunat me shumicë serbe nuk është dënuar apo gjobitur prej hyrjes në fuqi të rregullores dhe se ky nuk është qëllimi i institucioneve”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.