Ushqimi që ul mundësinë e infektimit me Covid

Pasi është raportuar se numri i rasteve me Covid është në rritje, një studim që është bërë në Brazil sugjeron se duhet ngrënë më shumë perime në mënyrë që të ulen gjasat e infektimit, raporton ScienceAlert.

Sipas studimit dietat e vegjetarianëve e veganëve po janë më të suksesshëm në reduktimin e sëmundjeve inflamatore duke përfshirë edhe Sars-Cov-2.

Studimi që u bë në Sao Paulo të Brazilit ku u përfshinë 702 brazilianë, sugjeron se gjasat për infektim me Covid të atyre që konsumojnë ushqim të pasur me pemë e perime janë 39% më të ulëta se sa për ata që konsumojnë produkte të mishit.

Të dhënat nga ky studim nuk tregojnë shkaktarin kryesor të kësaj ndërlidhjeje, por sugjerojnë se të ngrënit më pak mish e produkte të kafshëve mund t’i mbrojë njerëzit nga Covidi.

“Studimi ynë ofron prova se individët që hanë ushqime më bazë bimore dhe ata që janë vegjetarianë kishin një mundësi më të ulët të infektimit me Covid-19, sidomos pasi llogaritej edhe përkushtimi ndaj aktivitetit fizik”, thuhet në studim.

Pjesëmarrësit në studim që bënin më pak aktivitet fizik zakonisht kishin ndonjë sëmundje ekzistuese si dhe mbipeshë gjë që thuhet se rrit rrezikun e infektimit me Covid.

Shkencëtarët kanë ardhur në përfundim se personat që ushqeheshin më shëndetshëm kishin përmirësim në shëndetin e zemrës dhe presion më të ulët të gjakut. Kjo thuhet se rrit imunitetin dhe si rezultat kanë më pak rrezik nga infeksionet.

“Mënyrat e të ushqyerit me bazë bimore janë të pasura me antioksant, që ndikojnë pozitivisht në disa lloje qelizash që janë të përfshira në sistemin imunitar”, thuhet në studim.

Përveç ushqyerjes së mirë masat kundër Covidit mbesin të njëjtat e që janë higjiena, mbajtja e maskës si dhe evitimi i kontaktit të afërt me njerëz.