Vdes në QKUK një nga të plagosurit në Rahovec

Një nga të plagosurit më 19 shtator në Rahovec, ka vdekur në QKUK.

Këtë e ka konfirmuar Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.

“Me datë 22.09.2023 ka vdekur njëri nga viktimat që ka qenë në tretman mjekësor në QKUK. Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftim.

Faqja e OVL-UÇK në Rahovec ka njoftuar se viktima ishte ish-ushtar i UÇK-së.

Incidenti ka ndodhur në rrugën “Fahri Fazliu”. Dy të plagosurit, të moshës madhore, janë dërguar në Spitalin e Gjakovës për trajtim.

Dy meshkujt, po ashtu të moshës madhore, siç thotë Policia, janë dorëzuar në stacionin policor.

“Lidhur me rastin është organizuar operacion bastisje ku janë konfiskuar gjashtë armë të ndryshme dhe municion”, thuhet në njoftim.