ZRRE: Struktura tarifore me blloqe i favorizon konsumatorët që e kursejnë rrymën

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) njofton se janë të obliguar që me ligj të përcaktojnë tarifa që e reflektojnë koston e ofrimit të energjisë tek konsumatorët dhe të dizajnojnë tarifa që e nxisin efiçiencën e energjisë.

ZRRE nëpërmjet një njoftimi ka theksuar se struktura tarifore me blloqe i favorizon konsumatorët që të kursejnë energjinë, për çka ka propozuar dy blloqe për konsumatorët shtëpiak.

“ZRRE është e obliguar me ligj të përcaktojë tarifa që e reflektojnë koston e ofrimit të energjisë tek konsumatorët dhe të dizajnojë tarifa që e nxisin efiçiencën e energjisë. Struktura tarifore me blloqe i favorizon konsumatorët që e kursejnë energjinë. ZRRE ka propozuar dy blloqe për konsumatorët shtëpiak. Blloku i parë, për konsumin deri në 600 kWh, e reflekton energjinë që mund t’i alokohet çdo konsumatori në bazë të nivelit të prodhimit që mund ta ofrojnë kapacitetet vendore. Ky nivel i konsumit mund të ofrohet çmim të përafërt me tarifën ekzistuese. Kur një konsumator konsumon më shumë se 600 kWh, atëherë për të mbuluar konsumin mbi 600 kWh duhet të blihet energji nga importi. Për këtë arsye, çmimi i energjisë mbi 600 kWh duhet të reflektojë çmimin e importit”, thekson ZRRE.

Po ashtu, ZRRE ka thënë se i tërë kontinenti Evropian po ballafaqohet me krizë të energjisë dhe me rritje të paprecedentë të çmimeve, e që është rrefkëtuar në rritje të kostos së energjisë së importuar në Kosovë.

“I tërë kontinenti Evropian po ballafaqohet me krizë të energjisë dhe me rritje të paprecedentë të çmimeve, që është reflektuar në rritje të kostos së energjisë së importuar në Kosovë. Ftojmë të gjitha palët e interesit t’i bashkohen procesit të konsultimit publik të ZRRE-së dhe të ofrojnë komente e sugjerime për qëndrimet e ZRRE-së në formë të propozimeve që mund ta ndihmojnë tejkalimin e krizës me ndikim sa më të ulët në tarifat e konsumatorëve”, përfundon ZRRE-ja.

Kjo zyre, në raportin e fundit konsultativ ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë. ZRRE thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 600 kWh energji elektrike në muaj.

Në fund të vitit 2021, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar vendimin e Qeverisë për shpalljen e gjendjes emergjente me energji elektrike. Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së 51-të ka marr vendim që ta shpallë emergjente gjendjen energjetike, e cila do të vlejë për 60 ditë.