Hiqet dorë nga njohja në afat të shkurtër mes Kosovës dhe Serbisë

Dy ditë pasi ndërmjetësi evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, tha se një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë pritet të arrihet para se ato të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, kryeministri Albin Kurti konfirmoi se liderët e të dyja vendeve kryesore të BE-së i kanë thënë se Serbia nuk mund të anëtarësohet pa e njohur Kosovën. E, në versionin më optimist për një marrëveshje të këtillë duhet pritur së paku edhe një dekadë.

Është hequr dorë nga njohja afat të shkurtër mes Kosovës dhe Serbisë.

Dy ditë pasi ndërmjetësi evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, tha se një marrëveshje finale mes të dyja vendeve pritet të arrihet para se ato të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, kryeministri Albin Kurti konfirmoi se liderët e të dyja vendeve kryesore të BE-së i kanë thënë se Serbia nuk mund të anëtarësohet pa e njohur Kosovën.

“Edhe kancelari gjerman, edhe presidenti francez e kanë bërë të qartë se pa e njohur pavarësinë e Kosovës nuk do të ketë integrim evropian as për fqinjët tanë”, tha Kurti.

Kurti dhe Vuçiqi do të takohen të hënën në Bruksel, ku pritet ta pranojnë zyrtarisht planin evropian për dialogun që parasheh normalizim raportesh në shumë fusha, por dokumenti nuk e përmban edhe njohjen.

Megjithëkëtë, dy ditë para këtij takimi kryeministri tha gjatë adresimit në Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosjes se procesi nuk e vë në tavolinë statusin e Kosovës.

“Dialogu në Bruksel është dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, është dialog për statusin e marrëdhënieve, statusi aktual i marrëdhënieve nuk është normal e status normal është ai i fqinjësisë së mirë. Pra, njohje reciproke si thelb dhe reciprociteti si princip”, deklaroi Kurti.

Kosova duhet të presë vite të tëra për ta siguruar marrëveshjen e njohjes reciproke, në rast se ndërkombëtarët do ta lidhin këtë zhvillim me procesin e anëtarësimit që mund të marrë dekada. Kosova tek fundvitin e shkuar ka aplikuar për statusin e vendit kandidat, ndërsa versioni optimist që kryeministri Kurti ka shprehur për kohën e anëtarësimit është 9 vjet.