Hovenier e bën të qartë: Situata me dinarin tashmë ka ndikuar në partneritetin me Kosovën

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se situata me dinarin ka ndikuar në partneritetin e SHBA-së me Kosovën.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për medie, Hovenier edhe një herë ka kërkuar pezullimin e rregullores së BQK-së, raporton Ekonomia Online.

Hovenier tha se deklaratat e zyrtarëve amerikanë kanë qenë vazhdimisht të qarta se Kosova duhet ta shtyjë vendimin e zbatimit të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës – e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në Kosovë.

“Ne kemi shpresuar se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti do të angazhohej, siç bëjnë partnerët, për ta zgjidhur këtë çështje së bashku, në vend se të merren veprime në mënyrë të njëanshme. Ne jemi të shqetësuar që Qeveria e Kurtit nuk e ka bërë këtë. Çfarëdo sugjerimi se gjërat janë në rregull, se ne të gjithë ne pajtohemi me njëri-tjetrin, nuk është aspak e vërtetë. Ne jemi të shqetësuar dhe të frustruar dhe mendoj se toni i ndihmëssekretarit O’Brien e pasqyron këtë shumë qartë”, tha Hovenier.

“Më lejoni të theksoj sa problematik është ky moment saqë qeveritë tona nuk duket se po punojnë në partneritet me njëra-tjetrën. Prandaj, dua që t’i shmangim gjëra të tjera si këto”.

“Jam i shqetësuar që tani në intervistat e tyre, po thonë që kjo nuk do të ketë ndikim në partneritetin tonë. Dua ta përsëris se kjo nuk është e vërtetë. Siç ka thënë O’Brien, kjo situatë tashmë ka ndikuar në partneritetin tonë. Kërkojmë nga Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive. Të lejohet Serbia të ofrojë ndihma që përfshijnë, pensionet, ndihma shëndetësore dhe arsimin”.

Ambasadori i ShBA-së ka thënë se nuk është kërkesë vetëm e SHBA-së për të pezulluar “vendimin për dinarin”, por edhe e gjithë shteteve nga të cilat varet Kosova për të avancuar në rrugën drejt BE-së, NATO-s e Këshillit të Evropës.

“Gjitha kanë shprehur qartë shqetësimin, duket jo e mençur që Qeveria nuk po reagon”, ka theksuar Jeffrey Hovenier.

Ai shtoi se është shumë e rrallë që në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, SHBA-ja ta kritikojë Kosovën, gjë që ndodhi në mbledhjen e fundit ku kryeministri Albin Kurti mori pjesë.

Deklaratat e ashpra të ambasadorit amerikan në Prishtinë vijnë një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tentoi t’i hedhë poshtë sugjerimet e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, se Kosova po e rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.

“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës”, tha Kurti të mërkurën.

O’Brien paralajmëroi të martën se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.