Hovenier ndryshe nga Kurti thotë se marrëveshja mund të zbatohet edhe pa u nënshkruar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdimisht e ka potencuar se Serbia po refuzon ta nënshkruaj marrëveshjen me Kosovën. Sipas tij marrëveshja nuk mund të zbatohet nëse nuk nënshkruhet nga të dyja palët.

Ndërkaq, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier në një intervistë për T7, tha se megjithatë, marrëveshja mund të zbatohet edhe pse mungojnë nënshkrimet e të dyja palëve.

Sipas tij, marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit është ligjërisht e obligueshme për Kosovën e Serbinë dhe se sipas tij udheheqësit tashmë janë pajtuar dhe i kanë dhënë zotimet e tyre për zbatim.

“Natyrisht që mund të ketë zbatim pa nënshkrime. Sërish, vetëm mund ta theksoj qëndrimin e Shteteve të Bashkuara – dhe sa e kuptoj unë edhe qëndrimin e Bashkimit Evropian edhe pse nuk jam i autorizuar që të flas në emër të BE-së – por, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara siç është shprehur nga i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, ne i konsiderojmë këto detyrime ligjërisht të detyrueshme dhe besojmë që udhëheqësit janë pajtuar për këto zotime kur u pajtuan për Marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit.

E kam dëgjuar Xhosep Borrellin duke e thënë të njëjtën gjë pas negociatave të Ohrit. Pra, për ShBA-në, për BE-në dhe sërish për BE-në sepse konkluzionet e Këshillit të Evropës i kanë përfshirë marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit, ato janë ligjërisht të detyrueshme dhe ne presim që ato të zbatohen në tërësi. Edhe një herë do ta përmend këtë letrën që po i referohem të kancelarit të Gjermanisë, presidentit të Francës dhe kryeministres së Italisë që gjithashtu thotë se është urgjente që të ecet përpara me zbatimin e plotë pa parakushte, pa vonesa dhe që çështjet që kanë të bëjnë me formalitetet apo formulimin nuk duhet të na shpërqendrojnë nga puna e rëndësishme për të ecur përpara me zbatimin e plotë dhe në tërësi”, tha ai.