Kurti në 3-vjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së: Po peshojnë rëndë gabimet e pushteteve të shkuara

Në trevjetorin e ngritjes së aktakuzës ndaj ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale në Hagë, kryeministri Albin Kurti ka akuzuar pushtetet e kaluara për gabime të cilat sipas tij, sot po peshojnë dhe po dëmtojnë.

Në mbledhjen e Lëvizjes Vetëvendosje të mbajtur të dielën, Kurti ka thënë se bindja se UÇK-ja është e drejtë dhe e pasur, as sot nuk ndryshojnë.

Ai e ka përmendur bashkëpartiakun e tij, Rexhep Selimin, duke e cilësuar si 10-shin e UÇK-së.

“Të gjithë bashkë të bëjmë më shumë e të shkojmë te nota 10, të shkojmë te 10-a, asgjë më pak se shkëlqyeshëm nuk mund të jetë synimi ynë. Meqë ra fjala për 10-shën, para se të flasë për të arriturat, rezultatet dhe sukseset e qeverisjes sonë dëshiroj të kujtoj me mall mikun dhe bashkëveprimtarin tonë, luftëtarin e lirisë, 10-shin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi. Rexhep Selimi tash e tre vjet po vuan në burgun e Hagës. Deputeti i ynë qysh në 2010-n, kur edhe së pari vendosi të marrë pjesë në zgjedhje, gjithmonë fitimtar, gjithmonë çlirimtar. Mezi presim të na kthehet. Mbetemi të patundur në bindjen se Ushtria Çlirimtare e drejtë është edhe e pasur, prandaj i kemi kundërshtuar gjykimet e padrejta atëherë kur vendosej për to, por ja që gabimet e pushteteve të shkuara ende peshojnë dhe ende dëmtojnë”, ka thënë Kurti.

Kurti në këtë mbledhje ka përmendur edhe aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, i cili vdiq shtatë vjet më parë teksa po mbahej në paraburgim në Prizren.

Ai ka thënë se drejtësia mund të vonohet dhe pengohet, por nuk do të harrohet.

“Vrasja e qindra idealistëve në burgjet e Kosovës dhe jashtë saj, para luftës apo në fushëbeteja gjatë luftës solli rendin e tyre që e ka emrin liri. Ndërkaq, vrasja e Mon Balajt, Arben Xheladinit dhe Astrit Deharit pas luftës, i shton lirisë sonë edhe një rend edhe më të lartë, atë të demokracisë e drejtësisë. Kurrë nuk duhet harruar se pas sakrificën sublime përballë padrejtësisë, nuk vjen drejtësia. Fakti se Kosova ka djem e vajza aktiviste e aktivistë, shoqe e shokë të Astritit, na jep siguri se drejtësinë do ta kemi. Ajo mund të vonojë e mund të pengohet nga jashtë e nga brenda sistemit, por nuk do të harrojë e nuk do të harrohet. Astriti sot i mungon Lëvizjes si një aktivist i palodhshëm dhe i patrembur që ka qenë, por ai i mungon edhe Kosovës sepse sot do të ishte një mjek i ri shumë i përgatitur në spitalet tona dhe në politikëbërjen për shëndetësinë në Kosovë”, ka thënë ai.