Kurti: Normalizimi i raporteve me Serbinë, me njohje të ndërsjellë si pjesë qendrore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se normalizimi i raporteve me Serbinë mund të bëhet vetëm nëpërmjet njohjes së ndërsjellë.

Në kuadër të Forumit Ekonomik në Maqedoninë e Veriut, Kurti ka thënë se kjo është thënë edhe nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, sekretari amerikan Antony Blinken e kancelari gjerman Olaf Scholz.

“Kosova është vend normal demokratik, por duhet të pranojmë se marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale. Pra, duhet të normalizohen marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Normalizimi mund të bëhet vetëm me njohje të ndërsjellë si pjesë qendrore. Është thënë nga presidenti Biden, nga sekretari Blinken, nga kancelari Scholz. Ne po mundohemi me zell të arrijmë këtë normalizim”, ka thënë Kurti në Forumin Ekonomik në Shkup.

Ai ka shtuar se tekstin e Planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve e kanë pranuar të hënën në Bruksel si Kosova ashtu edhe Serbia.

Kurti ka folur për rëndësinë që ka Maqedonia e Veriut për Kosovën dhe po ashtu takimin e radhës që pritet ta ketë me presidentin e Serbisë, Alekandar Vuçiq në Maqedoni të Veriut.

“Mos të harrojmë se më 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë u nënshkrua kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviqit dhe hyrja e forcave të NATO-s. Mendoj se këto elemente simbolike të Maqedonisë së Veriut ishim të rëndësishme për Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, që të na ftoj në Maqedoni për takimin e radhës të nivelit të lartë”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës është pyetur edhe për ndikimin që ka pasur pushtimi rus i Ukrainës në Ballkanin Perëndimor.

Kurti ka thënë se pamjet nga Ukraina kanë hapur plagët për qytetarët e Kosovës, ndërsa ka shtuar se si pasojë direkte e agresionit rus në Ukrainë është edhe inflacioni dhe rritja e çmimeve në sektorin e energjisë.

Kurti ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë bashkëndier me qytetarët e Ukrainës.

“Besojmë se paqja në Ukrainë nënkupton paqe e siguri për të gjithë kontinentin, e kjo paqe ka nevojë për fitore të Ukrainës ndaj agresorit rus”, ka thënë Kurti.

Kurti ka folur edhe për tri marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit vitin e kaluar. Lëvizja e lirë me letërnjoftime mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, njohja e diplomave dhe kualifikimi profesional, ishin marrëveshjet e arritura.

“Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që në Kuvend ratifikoi marrëveshjet nga Procesi i Berlinit. Do të bëja apel te të gjithë liderët e rajonit që sa më shpejt të ratifikojnë marrëveshjet e të fillojmë t’i implementojmë, pasi janë në përfitim të gjtihë qytetarëve”, tha Kurti.

Kurti ka treguar se sot ka pasur takim edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe atë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Thotë se diskutuan për bashkëpunim rajonal.

Ndërkohë ka thënë se me Maqedoninë e Veriut janë duke bërë planet për të bërë pika të përbashkëta kufitare në Han të Elezit/Bllacë dhe në Glloboçicë/Jazhincë.

Po ashtu ka thënë se po planifikojnë të bëhet një infrastrukturë për lidhjen e Prizrenit me Tetovën, duke përmendur ndërtimin e një tuneli.

“Ne jemi të gatshëm të ndajmë mjetet e nevojshme për këto projekte të mëdha. Po ashtu me kryeministrin Kovaçevcki jemi dakorduar të kemi Forum Biznesore mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut, pasi ka shkëmbim të jashtëzakonshëm mallrash e investimesh mes dy vendeve”, tha Kurti.