Mbi 12 mijë viktima të dokumentuara nga lufta në Kosovë

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka prezantuar raportin me listën preliminare të personave të vrarë, të zhdukur me dhunë dhe të atyre që kanë vdekur si pasojë e luftës në Kosovë, duke dokumentuar gjithsej 12,230 viktima për periudhën nga 1 janari 1998 deri më 20 qershor 1999.

Në prezantimin e raportit mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se dokumenti përfaqëson një dëshmi institucionale të kostos njerëzore të luftës dhe një hap drejt dokumentimit të së vërtetës.

“Ky raport është dëshmi institucionale e çmimit të shtrenjtë të lirisë që e gëzojmë sot. Ai përfaqëson njerëz, jetë, familje dhe histori, të cilët nuk mund të reduktohen në numra, por që shteti ka detyrim t’i dokumentojë me saktësi, dinjitet dhe përgjegjësi”, deklaroi Kurti.

Sipas raportit, ndër viktimat e dokumentuara janë 1,047 fëmijë të vrarë, 94 fëmijë që kanë vdekur si pasojë e kushteve të luftës, ndërsa 100 fëmijë vazhdojnë të figurojnë të zhdukur me dhunë.

Raporti tregon gjithashtu se periudha më e përgjakshme e luftës ishte pranvera e vitit 1999. Gjatë muajve mars-qershor 1999 janë dokumentuar 9,948 viktima, ose rreth 81.3 për qind e numrit të përgjithshëm të viktimave të përfshira në listën preliminare.