Mblidhet këshilli, këto masa pritet të lirohen sot

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka bërë të ditur se sot do të bëhet shqyrtimi i masave kundër COVID-19, nga komiteti për menaxhimin e pandemisë, duke filluar nga ora 14:00. 

Në këtë mbledhje do të bëhet vlerësimi i situatës epidemiologjike dhe analizimi i vendosjes së masave të reja.

Dje, shoqata e Gastronomeve të Kosovës ka takuar zëvendësministrin e Shëndetësisë, Arsim Berishën, me të cilin kanë diskutuar rreth masave të reja që pritet të vendosen nesër, shkruan Gazeta Insajderi.

Insajderi mëson se nga ky takim është diskutuar zgjatja e orës për restorante e kafiteri, ku pritet që të zgjaten deri në orën 23:00 po ashtu edhe heqja e orës policore dhe lirimi i ahengjeve e klubeve të natës.

Arian Veanica nga Shoqata e Gastronomëve tha për Insajderin se kanë kërkuar masat e cekura më lartë ku sipas tij pritet që të merret vendim nesër për to.

 “Ishim ne takim me zv. Ministrin. Kërkuam mu liru ahengjet, klubet, dhe funksionimi i kafe bar restoranteve sipas rregulloreve komunale, si dhe të hiqet ora policore. Një pjesë do të aprovohen, po të shohim se çka vendoset me sigurtë” tha ai.