Mos pjesëmarrja në seancën për tekstet shkollore, VV: Nuk marrim pjesë në diskutimet ku ka cilësime si dështim i Qeverisë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola në një konferencë për media ka treguar disa nga arsyet se pse nuk kanë marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga partitë opozitare lidhur me tekstet shkollore.

Gola tha se nuk mund të marrin pjesë në një seancë e cila është cilësuar si dështim i Qeverisë, lidhur me furnizimet e teksteve shkollore, transmeton Telegrafi.

“Në parashtrimin e çështjes e kemi një cilësim që është i papranueshëm për ne, ku thuhej “dështimi i Qeverisë”. Ashiqare bëhet fjalë për një vendim të ri të Qeverisë, që kemi të bëjmë më një ndryshim të shpërndarjes së librave shkollor në shkolla, për fëmijët tanë. Ne ende nuk i dimi implikimet e këtij vendimi, për të zhvilluar një debat të mirëfilltë, procesi po vazhdon dhe kemi një vit plotësisht të rregullt shkollor”, tha ai.

Gola po ashtu tha se edhe në vitet e kaluara ka pasur vonesa në sigurimin e teksteve shkollare.

“Sikurse vitet e kaluara që kemi pasur vonesa në sigurimin e librave, edhe këtë vit ka, por nuk e dimi a është për shkak të vendimit të marrë nga qeveria apo për disa shkaqe që kanë qenë evidente edhe në vitet e kaluara. Duhet të presim epilogun e këtij procesi, të shohim se si do të zhvillohet deri në fund”, tha mes tjerash ai.

Seanca e thirrur nga opozita lidhur me tekstet shkollore ka dështuar të mbahet sot, pasi që nuk ishin shumica e deputetëve.

Partitë opozitare fajësuan pushtetin se po ikë nga përgjegjësia.