Puna e Qeverisë gjatë vitit 2023, opozita kritikon për dështim

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë për vitin 2023, Kryeministri, Albin Kurti u lavdërua se në qendër të të gjitha vendimeve qeveritare ka qenë qytetari dhe fuqizimi i shtetit.

“Përfitues përfundimtar ka qenë përherë qytetari. Synimi gjithmonë ka qenë zhvillimi i vendit dhe fuqizimi i shtetit. Në fillim të vitit ndamë shtesat për stafin shëndetësor dhe punëtorët e sektorit publik. Kurse në fund të vitit, para dy jave, ndamë shtesa për fëmijët nën moshën 16-vjeçare dhe të gjithë pensionmarrësit”, tha Kurti.

Por, ndryshe flet opozita, e cila tash sa kohë e cilëson të dështuar Qeverinë Kurti. Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, thotë se Qeveria është fokusuar në tema që kanë pasur qëllim dëmtimin e institucioneve të Kosovës dhe se kanë krijuar probleme artificiale në veri për të shmangur problemet reale në Kosovë.

“Me thënë të drejtën e kam shumë të vështirë të gjej një gjë pozitive që e ka bërë kjo qeveri gjatë këtij viti. Meqenëse tërë kohën është fokusuar në tema që kanë pasur qëllim dëmtimin e institucioneve të Kosovës, duke përfshirë ato të sigurisë dhe gjithë të tjerat. Ligjet që kanë ardhur nga qeveria kanë qenë ligje tendencioze dhe që kanë pasur për qëllim të adresojnë vetëm avancimin e njerëzve që janë pjesë e LVV-së. S’ka pasur progres në asnjë fushë. Janë krijuar artificialisht probleme të ndryshme që me tërheq vëmendjen nga problemet reale që janë në Kosovë. Kemi pa një tensionim të skajshëm në veri, ndërsa është bërë përpjekje nga qeveria që të ikë nga çështjet sociale, çështjet e krizës ekonomike, inflacionit dhe problemeve elementare që kanë hasur populli i Kosovës”, tha Qalaj, raporton RTV21.

Kritik shprehet edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, sipas të cilit, ekzekutivi ka stagnuar në të gjitha nivelet.

“Kjo qeveri po punon në një format të programit qeverisës që ka punuar në koalicion me LDK-në, në kabinetin e qeverisë Kurti I. Por në operacionalizim, zbatim të politikave të brendshme në çdo sektor nëse shohim nga afër nuk ka progres. Në disa segmente kemi regres në disa segmente kemi probleme serioze. Jemi para një bumi social dhe në një situatë kur situatat janë heshtë dhe kur kërkesat e sindikalistëve dhe organizatave që përfaqësojnë interesin e shërbyesve civilë publikë janë të përditshme, por përgjigje nuk kemi. Çka mund të përmendi këtë vit, diçka që mund të dallohet dhe kur roli i qeverisë nuk është primar është reagimi në preventiv në parandalim të aktit terrorist më 24 shtator, por kjo i atribuohet burrave dhe grave të njësive të specializuar… Në anën tjetër merre sektorin e arsimit, shihe në çfarë gjendje jemi jo vetëm për shkak të testit PISA, por edhe fillimit të vitit shkollor me libra, ngufatje të kërkesave të SBAShK-ut, gjendjen në infrastrukturë dhe në sektorin e madh që duhet së paku me gjet diçka që ka shkaktuar progres ose në sektorë të ekonomisë, politikave sociale, shëndetësisë dhe bujqësisë”., tha  Haziri.

Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, vlerëson se Qeveria duke mos pasur rezultate konkrete, po i mashtron qytetarët, duke bërë propagandë.

“Është rimë mashtruese. Meqenëse që nuk ka punë, atëherë duhet me rrejt me mashtru dhe me shpikë. E tëra është propagandë me mashtru. Në vend që me iu dhënë njerëzve paga ose pensione që iu takojnë të rregullta, ai i ndan një herë në vit, një social dhe me atë i mashtron. Kjo është qeveria, nëse i merr pensionistët ata meritojnë pensione të dinjitetshme, nuk i rritë pensionet por iu jep 100 euro ose rasti i fëmijëve njëjtë”., tha Haradinaj.

Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2023, mbajti 62 mbledhje, në të cilat miratoi 526 vendime, ndërkohë që i kaloi edhe 66 projektligje dhe pesë nisma legjislative.