Qeveria merr meritat për “heqjen” e vizave

Qeveria e Kosovës e quajti moment kyç përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët, derisa tha se falë punës së saj, u arrit ky zhbllokim.

Ajo tha të martën pas përfundimit të votimit në Parlamentin Evropian se vendimi do të nënshkruhet të mërkurën në Strasbourg nga PE-ja dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.

“Rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do t’i lejojnë qytetarët të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit. Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante. Pas një pritjeje të gjatë, ky është një moment kyç i përafrimit të vendit tonë me familjen evropiane”, thuhet në komunikatën drejtuar mediave.

Qeveria theksoi se qytetarët do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen nga 1 janari i 2024-s.