SBASHK thotë se po linçohet nga militantët e Kurtit: Kryeministri nuk dëshiron dialog – mjerë ata që do të ulin kokën nga turpi

SBASHK-u, përmes një reagimi dërguar mediave ka thënë se Qeveria Kurti nuk dëshiron dialog për zgjidhjen e kërkesave të grevistëve, por do rrugëtimin e vetë të përbuzjes, nënçmimit, linçimit përmes deklaratave, që pastaj shumëfishohen e pasurohen nga militantë në Facebook.

“Ikje nga dialogu me sindikatat, që pushteti do t’i shoh të shuara, e vizitat nëpër komuna me dhembje të rrejshme për situatën dhe për fëmijët që nuk janë në shkollë e për qytetarë që nuk po mund të marrin një dokument në komunë janë rrugëtim i gabuar i qeverisë. Në vend të kësaj duhet dialogu i sinqertë e në prani të medieve të nderuara për të dalë nga kjo situatë. Por, mbase kjo situatë po i konvenon Kurtit dhe qeverisë së tij. Një kryeministër që vërtetë e do vendin e tij kurrë nuk do t’i nënshtrohej tekave të tij, që në vend të debatit e zgjidhjes së kërkesave të grevistëve, të merrte një fjali e të përqeshte atë që shkoi në takim bashkë me anëtarë të tjerë të Këshillit Grevist e që kishin qëllimin më të mirë që të debatohej sinqerisht dhe që të arrihej te marrëveshja e pranueshme”, thuhet në reagimin e SBASHK-ut.

Ndryshe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një deklaratë për Telegrafin, tha se ministrja Arbërie Nagavci është duke u bërë presion e shantazhe shkollave, ku disa prej tyre veçse kanë filluar mësimin.

Reagimi i plotë i SBASHK-ut pa ndërhyrje:

SBASHK-u ishte dhe mbetet sindikatë e atyre që e kanë lirinë e plotë të mendimit dhe të votës së lirë. I kthyer në kujtesën e ngjarjeve të shënuara e filmuara nga mediet, ky realitet dëshmon se greva kishte edhe në Qeveritë e kaluara në Kosovën e pasluftës, por kurrë nuk kishte goditje të ulëta e të turrit të militantëve partiakë me sharje, përbuzje e linçime siç po ndodh tani e sa kohë nga Qeveria e telallët e saj.Reklama

Qeveria Kurti nuk do dialog e zgjidhje të kërkesave të grevistëve, kërkesa këto të prezantuara e të mohuara e të injoruara tani e sa muaj, por do rrugëtimin e vetë të përbuzjes, nënçmimit, linçimit përmes deklaratave, që pastaj shumëfishohen e pasurohen nga militantë nëpër facebook.

Ikje nga dialogu me sindikatat, që pushteti do t’i shoh të shuara, e vizitat nëpër komuna me dhembje të rrejshme për situatën dhe për fëmijët që nuk janë në shkollë e për qytetarë që nuk po mund të marrin një dokument në komunë janë rrugëtim i gabuar i qeverisë. Në vend të kësaj duhet dialogu i sinqertë e në prani të medieve të nderuara për të dalë nga kjo situatë. Por, mbase kjo situatë po i konvenon Kurtit dhe qeverisë së tij. Një kryeministër që vërtetë e do vendin e tij kurrë nuk do t’i nënshtrohej tekave të tij, që në vend të debatit e zgjidhjes së kërkesave të grevistëve, të merrte një fjali e të përqeshte atë që shkoi në takim bashkë me anëtarë të tjerë të Këshillit Grevist e që kishin qëllimin më të mirë që të debatohej sinqerisht dhe që të arrihej te marrëveshja e pranueshme.Reklama

Duke parë gjithë këtë luftë kundër zërit sindikal të anëtarësisë e duke demantuar me fakte e argumente se as SBASHK e as Sindikata e shërbyesve civilë nuk kanë vepruar kurrë e as nuk veprojnë si qeveria tani me shantazhe e kërcënime ndaj grevistëve, po respektojnë vullnetin dhe zërin e anëtarësisë e për ta lehtësuar plagën në shpirtrat e një numri të vogël të anëtarësisë, që nga presionet e vazhdueshme të qeveritarëve po ndahen nga mijëra e mijëra kolegë grevistë dolëm dhe e treguam publikisht se SBASHK ka frymuar dhe vazhdon të frymojë lirshëm dhe se ishte dhe mbetet shembull i shkëlqyer i demokracisë. Mbetet i tillë edhe tani karshi presioneve të papara të Qeverisë e një pjese të fansave të saj, që kanë humbur njerëzoren dhe krenarinë e traditën e kombit tonë.Reklama

Ju numri tepër i vogël i kolegeve e kolegëve tanë që po ia bëni qejfin pushtetarëve sot është zgjedhje e lirë juaja, por kolegët tuaj në kohë të tjera kur qeverisnin partitë që ata i kishin votuar, qëndronin të pa luhatur në grevat e tyre për të realizuar kërkesat legjitime e duke ruajtur unitetin me moton Bashkë e në SBASHK. Mijëra të punësuar në arsim që nga çerdhet e deri në universitete dhe ata në shërbimet publike vazhdojnë të qëndrojnë dinjitetshëm në grevën, që nuk e deshën, por erdhën deri te ajo pasi që qeveria injoroi e po injoron dialogun serioz dhe kërkesat e tyre. Reklama

Qeveria me angazhime konkrete e vendime të pranueshme për të dy palët duhet të dëshmohet se është e shqetësuar vërtetë për gjendjen e krijuar. Ajo, në vend të kësaj, vazhdon me presionet ndaj grevistëve dhe tregon se qëllimi i saj, sikur është, futja e përçarjes dhe ngulfatja e zërit sindikal. Këtë askush nuk e ka arritur deri tani e nuk do ta arrij dot as kjo qeveri.

Edhe kjo sfidë do të kalojë dhe mjerë ata që do të ulin kokën nga turpi.