Nagavci sërish bënë thirrje për fillimin e mësimit, injoron akuzat nga SBASHK-u


Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci u ka bërë sërish thirrje mësimdhënësve dhe punëtorëve të tjerë të arsimit, që të ndërpresin grevën dhe të rifillojë mësimi në shkollat e Kosovës.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Nagavci ka shkruar se punëtorët e arsimit janë trajtuar dinjitetshëm dhe pozicioni i tyre është më i mirë tash në Ligjin për Paga, sesa ka qenë paraprakisht.

“Në ligjin për paga të anuluar nga Gjykata Kushtetuese, paga bazë e një mësimdhënësi të shkollës së mesme të lartë ka qenë sa 26% të pagës më të lartë në vend, ndërsa me projektligjin e ri është 32% e pagës më të lartë; paga e një mësimdhënësi në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ka qenë 23-24.5% e pagës më të lartë, ndërsa tani është 31%; etj. Pra, punëtorët e arsimit jo vetëm që janë trajtuar dinjitetshëm, por edhe është përmirësuar pozicionimi i atyre që ishin diskriminuar me ligjin e kaluar. Nuk ka më lënie anash të mësuesve klasorë 1-5 dhe pagë më e ulët për ta, sikur edhe për sekretarët, bibliotekistët, psikologët e pedagogët në shkolla, të cilët ishin trajtuar në mënyrë jo të mirë në ligjin e fundit”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ka theksuar se Projektligji i pagave iu ofron mësimdhënësve më shumë sesa vetë përfaqësuesit e SBASHK-ut, ishin pajtuar në ligjin e kaluar.

“Projektligji për pagat në sektorin publik tashmë është në dëgjim publik. Ky Projektligj ofron shumë se ajo më të cilën ishin pajtuar përfaqësuesit e SBASHK-ut në ligjin e fundit. Ftoj të gjithë mësimdhënësit në Kosovë që të fillojnë mësimin dhe ndërkohë të japin edhe kontributin e tyre me komente e sugjerime, që të kemi një Projektligj sa më të mirë për pagat.  Do të jemi gjithmonë pranë mësimdhënësve dhe punëtorëve tjerë të arsimit për të tejkaluar  çdo vështirësi dhe së bashku të kujdesemi që fëmijëve tanë t’ju ofrojmë arsimim cilësor”, ka shkruar Nagavci në Facebook.