Sot pritet të ndryshojnë masat antiCOVID, të hiqet ora policore

Kanë kaluar më tepër se tri javë që nga koha kur Qeveria e Kosovës miratoi masat e fundit antiCOVID.

Pavarësisht rënies së numrit të rasteve me COVID-19, viktimave dhe gjithë situatës së ndryshuar prej javësh, Ministria e Shëndetësisë ka vazhduar me masat e vendosura asokohe.

Por siç është paralajmëruar, Ministria e Shëndetësisë pritet që sot të trajtojë këto masa dhe nga nesër të largohet edhe ora policore.

Qytetarët po vazhdojnë të kenë të caktuar orarin e lëvizjes, duke mos pasur mundësi të qarkullimit që nga ora 00:00 deri në ora 05:00.

Sipas informacioneve të deritanishme përpos largimit të orës policore, pritet që të propozohet edhe mundësimi i zhvillimit të ahengjeve të shumta në vend, por me numër të caktuar të njerëzve.

Ndryshe nga Gastronomia vazhdojnë të funksionojnë deri në ora 23:00, ashtu siç ka qenë çdoherë.

Duhet përkujtuar që ka mbi dy vite që nga koha kur në Kosovë janë shfaqur rastet e para të të infektuarve me virusin COVID-19.

Që nga ajo kohë qytetarët patën të vendosura masa nga më të ndryshmet, e të cilat duhej respektuar në të kundërtën gjobiteshin.

Madje ka vetëm pak javë që nga momenti kur Qeveria e Kosovës vendosi që maska të largohen nga përdorimi në hapësirat e jashtme.

Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 55 raste të reja ndërsa ka vdekur një person.

Në total numri i rasteve aktive është 1 mijë e 877.