Vuçiq: Pas dy-tre ditësh pres të takohem me Kurtin në Bruksel

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se pret që pas dy-tri ditësh të shkojë në Bruksel për bisedime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka thënë se nuk mund të japë më shumë informacione rreth këtij takimi.

“Agjenda është në përputhje me atë që është diskutuar me ‘pesëshen e madhe’ dhe se nuk mund të flasë për këtë sepse marrëveshja është e tillë. Pas kësaj do të kemi më shumë informacione. E jona është që ta mbrojmë Serbinë nga të gjitha masat e mundshme, por dhe nga shembja e interesave tona kombëtare dhe shtetërore”, ka theksuar Vuçiqi.

Vuçiqi duke folur për fjalimin e kryeministres Ana Bërnabiq në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së tha se Serbia nuk mund të ndryshojë asgjë përveç se përpiqet të thotë të vërtetën.

“Kryeministrja Bërnabiq bëri një punë të mirë dhe reagoi mirë, ajo dha një përgjigje shumë të mirë, por a do të ndryshojë qëndrimin e fuqive të mëdha, jo, nuk do ta ndryshojë”, ka thënë ai.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 14 shtator.