Abdixhiku: Koha e fundit për një rrugë të re pa Kurtin dhe politikën e tij të izolimit

Kryetari LDK-së ka hedhur kritika të forta ndaj kryeministrit të vendit, Albin Kurti, në lidhje me zhvillimet e fundit në raport me aleatët ndërkombëtarë.

Lumir Abdixhiku ka thënë se është “koha e fundit për një rrugë të re pa Kurtin dhe politikën e tij të izolimit”, raporton Klankosova.tv.

Ai ka renditur disa prej ngjarjeve të fundit për sa i përket masave të BE-së ndaj Kosovës.

“Pezullim i fondeve të BE-së; Pezullim i MSA-së; Pezullim i takimeve të nivelit të lartë; Pezullim i vizitave bilaterale”, thotë Abdixhiku:

Më tej, ai ka thënë se derisa Kosovës po i vendoset sanksione, Serbia po avancon. Në këtë rast, ai shtron pyetjen: “Si qenka kjo fitore për ne? Teksa ne përjashtohemi nga programet ushtarake me NATO-n; Serbia vazhdon misionet paqeruajtëse me ta”.

“Teksa ne humbasim nga programi 7.5 miliardësh për zhvillim digjital, shtetet e rajonit ecin me hapa të mëdhenj. Kam takuar në vazhdimësi biznese nga komuniteti i IT-së, punëdhënës të jashtëzakonshëm, me potencial dhe më të madh. Sot, humbasin ata dhe të rinjtë që do të punësonin në vazhdimësi”, deklaroi kreu i LDK-së.

Sipas tij, kryeministri “Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bën dot Kosovën shtet evropian”.

“Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje se sa tani”, potencoi Lumir Abdixhiku, kryetar i partisë opozitare, LDK.