BE: Masat kanë nisur – i janë komunikuar Qeverisë qysh më 28 qershor

Sanksionet ndaj Kosovës që së pari i kishin propozuar lehtësuesit e dialogut tashmë kanë hyrë në fuqi, po zbatohen ndërsa formalisht autoriteteve të Kosovës u janë komunikuar qysh të mërkurën me 28 qershor. Këtë e kanë konfirmuar ën selinë e BE-së të shtunën mbrëma në përgjigje që u janë dërguar mediave të cilat para disa ditësh kishin bërë pyetje se kur do të komunikohen këto masa.

Se cilat janë ato sanksione, që u ndërmorën me shpejtësi të paparë deri më tash në BE, nuk është befasi, pasi për të është njoftuar opinioni disa herë. Së pari, ato i kishin parashikuar pjesëtarët e ekipit të Miroslav Lajçakut në nj takim të grupit punues ku janë vendet anëtare të BE-së. Ato i kishte paralajmëruar edhe vetë përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, ndërsa që të gjitha i kishte shpalosur publikisht të martën drejtori i përgjithshëm në drejtorinë për zgjerim të Komisionit Evropian, Jan Koopman, duke folur para deputetëve së bashku me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak. Ata dy ishin kritikuar ashpër pse nuk po përmendin asnjë masë specifike ndaj Serbisë, por vetëm ndaj Kosovës.

Koopman pati paralajmëruar se masat do të përfshijnë pezullimin e punës në kuptimin e organeve të Stabilizim-Asociimit dhe do të pezullohet programi i fondeve për Kosovën dhe propozimi i dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor nuk do të procedohet tash. Po ashtu pati paralajmëruar pezullim të mbështetjes për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave dhe ngjarjet e nivelit të lartë e vizitat dypalëshe.

Përfaqësuesi i Komisionit Evropian në atë diskutim në Komisionin e politikës së jashtme të Parlamentit Evropian kishte thënë se “më vonë gjatë javës do të komunikohen masat ndaj Kosovës”. Por deri të shtunën nga BE-ja nuk ishin përgjigjur se a janë komunikuar apo jo dhe në çfarë mënyrë do të komunikohen.

Deri tash, as Qeveria e Kosovës nuk ka komunikuar se është njoftuar edhe formalisht për sanksione.