Abdixhiku për grevën: Përgjegjësia e vetme i takon kryeministrit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka nisur sezonin vjeshtor të Kuvendit të Kosovës me shumë kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e fajësuar atë për krizat që është duke u përballur vendi.

Në seancën e sotme të Kuvendit, ai ka theksuar se është emergjencë kombëtare mosfillimi i vitit shkollor për të gjithë fëmijët dhe mësimdhënësit.

“Kjo emergjencë kërkon dialog dhe pas kësaj kërkon kompromis. Sot nuk ka gjë më të rëndësishme se sa të flasësh dhe të gjesh një zgjidhje për nxënësit dhe mësimdhënësit tanë”.

“Kryeministri e ka zgjedhur një rrugë tjetër, e ka zgjedhur polarizimin, fillimisht duke komunikuar në distancë me ata, e më pas duke lëshuar fletërrufe nga ideologët partiak që përfaqësuesit sindikal me të cilët bashkëpunonte vet me ata sa ishte në opozitë, i portretizon si shërbëtorë të Serbisë, mësimdhënësit në masë i quan si analfabetë, e kundërshtarët politikë si organizatorë të grevave me qëllim të rrëzimit të qeverisë”.

“Duhet të kesh një hall të madh që të ushqesh këtë krizë dhe polarizim, duhet të jesh i shkëputur nga realiteti social që të gjesh fajtor nga Serbia e deri tek opozita. Për LDK-në përgjegjësi i vetëm për këtë krizë është në qeveria, ai është kryeministri, atij i takon të dialogojë me ata dhe të gjejë zgjidhje”, ka thënë Abdixhiku.