Borrell flet në telefon me Kurtin dhe Vuçiqin: Sulmuesit të dorëzohen menjëherë

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me sulmet në Zveçan, ku humbi jetën një pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Gjatë këtyre bisedave telefonike, Borrell ka përsëritur thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe lirimin e pelegrinëve në Manastirin e Banjskës, që ata të largohen të sigurt. Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit.

“Pas sulmit të tmerrshëm dhe frikacak terrorist të sotëm kundër policëve të Policisë së Kosovës, Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell foli me kryeministrin Albin Kurti. Ai dënoi me shprehjet më të forta agresionin e sotëm”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Përfaqësuesi i Lartë Borrell shprehu ngushëllimet e tij për familjen, kolegët dhe të dashurit e punonjësit të policisë që humbi jetën në krye të detyrës dhe i uroi shërim të shpejtë policit të plagosur.

Borrell ka telefonuar edhe presidentin Aleksandar Vuçiq.

“Përfaqësuesi i Lartë Borrell përsëriti thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe lirimin e pelegrinëve në Manastirin e Banjskës, që ata të largohen të sigurt. Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit”, thuhet tutje në komunikatë.

“EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, po monitoron situatën në terren dhe është i gatshëm të mbështesë institucionet e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj, në përputhje me mandatin e tij dhe në koordinim të ngushtë me KFOR-in e NATO-s. Përfaqësuesi Special i BE-së për Kosovën në terren është në kontakt të ngushtë me autoritetet”, thuhet në fund të komunikatës.