Dy të vdekur nga COVID-19 sot në Klinikën Infektive

Dy persona që po trajtoheshin në Klinikën Infektive si pasojë e infektimit me COVID-19, kanë vdekur gjatë ditës së sotme në Kosovë.

Kjo u konfirmua nga deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, në mbledhjen që po mban Komisioni për Shëndetësi rreth situatës epidemiologjike në vend.

Ka disa shqetësime që duhet t’i vendosim këtu. Karakteristik e përgjithshme deri sot është reagimi i vonë ndaj situatës. Kisha dashur që kjo të jetë hera e fundit që pasi të ngrihet shqetësimi, ne duhet të veprojmë. Të gjitha vendet kane qenë me Omicron një muaj para neve. Nuk ndalet Omicroni me masa ne kufi. Katër raste pa burim kanë qenë në Mitrovicë. Ne mbi 80% te rasteve i kemi të detektuar pas pesë ditëve, dhe mund të presim një rritje të madhe. Tre ditët e fundit i kemi katër të vdekur. Sot janë dy në Klinikën Infektive që kanë vdekur”, deklaroi Dreshaj.

Dreshaj kritikoi stafin mjekësor se nuk po i respekton masat, veçanërisht në Klinikën Infektive. E ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, u shpreh se “është shqetësuese nëse relaksohemi në këtë situatë”.  

Që nga fillimi i pandemisë, numri i të vdekurve në Kosovë nga COVID-19 është mbi 3 mijë.