Kurti: Kur Serbia flet për vrasje e dhunë, flet për vete e jo për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kur zyrtarët në Beograd, përfshirë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, flasin për dhunë dhe vrasje në Kosovë, ata flasin për vete, “flasin për imagjinatën e mendimet e tyre”.

Ky reagim vjen një ditë pasi presidenti serb, Vuçiq deklaroi në Beograd se ka informacione për plane se në veri të Kosovës po përgatitet “likuidimi i popullit tonë”, duke iu referuar popullsisë serbe që jeton në Kosovë.

Por, Kurti pas një vizite që i bëri Doganave të Kosovës më 12 gusht, tha se Kosova është për paqe dhe stabilitet.

“Kur ata flasin, nuk janë duke folur për neve, por për vete. Ne jemi për paqe, siguri, stabilitet afatgjatë dhe duhet që me shtetin tonë jo vetëm ta mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial, por edhe demokracinë, kushtetutshmërinë, sundimin e ligjit dhe progresin”, tha Kurti.

Ai sërish akuzoi Serbinë se ka nxitur rritjen e tensioneve në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht, kur serbët lokalë, duke shprehur pakënaqësinë e vendimeve të Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, bllokuan rrugët në veri.

“Dita e 1 gushtit do të shkonte tërësisht paqësore dhe do të ishte dita e parë e punës së muajit të tetë të vitit. Mirëpo, më 31 korrik u ngritën ato barrikada prej njerëzve që kishin nxitur, planifikuar, përgatitur e financuar strukturat ilegale që u bën banda kriminale nëpër rrugën në veri të Kosovës”, tha Kurti.