Qeveria ua jep pagat dhe 50 euro shtesë mësimdhënësve, nuk ua llogarit muajin shtator

Ndryshe nga muaji i kaluar që mësimdhënësit kanë pasur vonesa për marrjen e pagës, pasi qeveria hezitoi t’i ekzekutoi për shkak të grevës, këtë muaj nuk ka pasur problem të ngjashëm.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj i ka thënë Klankosova.tv, se mësimdhënësve u kanë dalë pagat e muajit tetor, e bashkë me to edhe shtesat prej 50 euro.

Jasharaj ka thënë, se 50 eurot shtesë të qeverisë janë për muajin tetor, ndërsa ka thënë, se ai po shpresonte që ekzekutivi t’ua jepte shtesën e njëjtë edhe për muajin shtator.

“Unë kam komunikuar me disa nga kryetarët e nivelit komunal, të cilët e konfirmuan se janë ekzekutuar pagat e muajit tetor për mësimdhënësit bashkë me shtesat prej 50 eurove. Kjo shtesë është për muajin tetor, mirëpo kam shpresuar që qeveria të ekzekutonte këtë shumë edhe për muajin shtator”, theksoi Jasharaj.

Kujtojmë, se në mbledhjen e 30 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka miratuar pakon për përballje me inflacionin, të prezantuar javë më parë. E, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar pikat e kësaj pako, ku parashihej subvencionimi me 50 euro i të gjithë zyrtarëve publikë.