Sot pritet të miratohen masat e reja anti-COVID

Qeveria e Kosovës pritet që sot t’i miratojë masat e reja anti-COVID, një ditë pasi Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë, për vlerësimin e situatës epidemiologjike i ka shqyrtuar ato dhe ka propozuar ndryshime.

Në takimin e këtij komiteti që u mbajt të enjten, e që pjesë ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u vendos që të lehtësohen masat të cilat u morën me 21 janar e që hyrën në fuqi menjëherë me 22 janar.

Komiteti mbledhjen e së enjtes ka propozuar që kufizimi i lëvizjes të jetë deri në orën 24:00, ndërsa gastronomia të lejohet të ushtrojë veprimtarinë deri në orën 23:00. Po ashtu është propozuar që të lejohet hyrja në Kosovë me dy vaksina, pa pasur nevojë as për testin PCR, masë kjo që nxiti reagim jo vetëm të qytetarëve por edhe të institucioneve të vendeve fqinje.

Pas mbledhjes së komitetit, ministri Latifi ka thënë se masat pritet të votohen sot në Qeveri, e të shtunën të hyjnë në fuqi.

“Ne kemi vendos në bazë të masave që kemi pasur deri tani, ato kanë treguar efekt shumë të mirë kështu që ne do t’i lehtësojmë shumicën prej këtyre masave. Për shembull hyrja në kufi do të jetë më dy vaksina, ne i kemi propozuar nesër qeveria duhet me i aprovuar sigurisht. Nëse i ka dikush dy vaksina ose tri mund të hyjë në Kosovë ai që ka vetëm 1 duhet me pas test. Kjo e famshmja që po i themi ne ora policore është shtyrë deri në orën 24:00, dhe fitneset do të hapen. Por qëllimi kryesore që të kërkoni nga të gjithë këta të restoranteve, lokaleve, të shtëpive të mallra qendrave tregtare që hyrja të kufizohet për vetëm ata që kanë vaksina”, tha ai.

Masat e vendosura më 21 janar erdhën pas rritjes së numrit të rasteve pozitive me COVID-19.