Stoltenberg takon sot Kurtin dhe Vuçiqin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pret të mërkurën në Bruksel liderët e Kosovës dhe Serbisë, në kohën kur zyrtarët nga këto dy shtete kanë ashpërsuar retorikën, pas ngritjes së barrikadave në veri tri javë më parë.

Stoltenberg do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas secilit takim, është paralajmëruar se do të ketë konferencë për media.

Fillimisht, Stoltenberg do të zhvillojë takim me Vuçiqin në orën 15:30, ndërkaq takimi me Kurtin do të zhvillohet në orën 17:00.

Takimet në selinë e NATO-s vijnë një ditë para se Kurti dhe Vuçiq, po në Bruksel, do të takohen për të vazhduar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Takimet në kryeqendrën evropiane mbahen në kohën e rritjes së tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, pasi më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendime të ekzekutivi të udhëhequr nga Kurti.