Brukseli i përgjigjet Kurtit pasi kërkoi të ndahet nga dialogu anëtarësimi i Kosovës në BE

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, sot i është përgjigjur kërkesës së kryeministrit Albin Kurti për ndarjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE me dialogun me Serbinë.

Stano tha se edhe për Kosovën edhe për Serbinë s’ka rrugë tjetër që duhet kaluar pos në dialogun e lehtësuar nga vetë Unioni.

“Rruga europiane për Kosovën dhe Serbinë shkon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Me fjalë të tjera, nëse s’ka progres në dialog nënkupton që s’ka progres as në procesin e anëtarësimit. Kjo është shumë e qartë”.

Megjithatë, Stano në konferencën e sotme tha se nëse njëra palë bën progres në procesin e dialogut, progresi do të reflektohet edhe në procesin e anëtarësimit, raporton Gazeta Express.

“Çfarë BE-ja dhe shtetet anëtare presin kur bëhet fjalë për procesin e anëtarësimit dhe dialogun. Janë pjesë e të njëjtit proces, dialogu dhe anëtarësimi për Kosovën dhe Serbinë janë pashmangshëm të lidhur.  Nëse s’ka përparim në dialog dhe në përmbushjen e zotimeve do të thotë se s’ka përparim as në proceset anëtarësuese përkatëse. Nëse ka progres nga njëra palë, do të reflektohet në procesin e anëtarësimit të palës partnere”.

Ndërkaq, Stano tha se Bashkimi Europian për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë është duke pritur rezultatet përfundimtare nga autoritet kosovare, të cilat e kanë në dorë hetimin e plotë zyrtar.

“Nuk ka asgjë të re. BE po pret ende raportin final të hetimeve nga autoritetet e Kosovës, hetimi zyrtar është në duart e autoriteteve kosovare. Kur të shohim rezultatet përfundimtare, atëherë do t’i analizojmë, rishikojmë”.