Haradinaj pyet PDK-në e LDK-në pse s’po e votojnë shkarkimin e Qeverisë Kurti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në deklarimin jashtë rendit të ditës në seancën e së enjtes u ka kërkuar PDK-së e LDK-së që të deklarohen për mocionin e mosbesimit të Qeverisë së Albin Kurtit.

Ai këtë kërkesë e ka bërë derisa ka ngritur shqetësimin e tij për, siç ka thënë, humbjen e besimit të aleatëve si dhe ndëshkimet politike e ekonomike ndaj Kosovës nga ndërkombëtarët.

“A ka dikush në këtë sallë prej jush që nuk e di që jemi duke e humbur besimin e aleatëve tanë ose që e kemi humbur. Unë nuk po e kuptoj më këtë parlament, i ka humbur vlera këtij parlamenti. Vijmë këtu sikur nuk ka ndodhur asgjë. I ka humbur serioziteti. A ka dikush në këtë sallë ose shqiptar që nuk e di që kanë filluar ndëshkimet ndaj Kosovës si politike, si ekonomike, si në siguri? Nëse e kemi humbur besimin e kanë filluar ndëshkimet, a forcohet Kosova kundër bandave në veri? Kush është ai njeri që nuk di ta bëjë këtë matematikë kaq të thjeshtë për vendin e vetë. E kemi humbur besimin, kanë filluar ndëshkimet dhe jemi dobësuar përballë të gjithëve”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka pyetur deputetët opozitar se pse nuk po e votojnë shkarkimin e Kurtit.

“Pse ju lutem ka hezitime për mocion, ku e keni problemin. Pse bre nuk keni guxim të dilni secili për vete të thoni e votoj mocionin. Ku e keni problemin deputetë opozitarë, PDK e LDK, që s’po guxoni ta votoni mocionin?”, ka deklaruar Haradinaj.

Deputeti i LVV-së, Driton Hyseni ka thënë se të mërkurën u bënë një javë prej kur Serbia ushtroi agresion ndaj Kosovës me rrëmbimin e zyrtarëve policorë.

Ka shtuar se ky akt tregon fytyrën e vërtetë të Serbisë.

“Tregon shtetin që ka synim çdo herë destabilizimin e Kosovës. Vlerësojmë lart kërkesat e aleatëve që i drejtohen Serbisë për lirimin e policëve, por deri tani jemi duke parë një destruktivitet të Serbisë dhe presidentit serb që nuk ka asgjë të bëjë me vlerat evropiane”, ka thënë ai.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë se duke u marrë me tema madhore janë lënë pas shumë tema tjera.

“Në takimet e shumta të Komisionit për punë të jashtme kemi marrë kritika të shumta për atë që po ndodh në veri të Mitrovicës. Është apel i yni ta kthejmë besimin e aleatëve. Skandalet me insulina dhe tenderë që po ndodhin në MSH, a është i vetëdijshëm ministri që nga zvarritja do të pësojnë qytetarët e Kosovës”, ka pyetur ajo.