Kurti fton në takim liderët e opozitës

Pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka nisur edhe zyrtarisht afati kushtetues për mbledhjen dhe konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës.

Sipas përcaktimeve kushtetuese, Kuvendi i dalë nga zgjedhjet duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, afat i cili përfundon më 7 gusht.

Në këtë kuadër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka nisur kontaktet politike duke u dërguar ftesa për takim kryetarëve të tri subjekteve më të mëdha opozitare – Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe Aleancës, Ardian Gjini.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka.

“Po, sot në mëngjes kryeministri Kurti u ka dërguar letër për takim kryetarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës”, ka deklaruar Manxhuka.

Pas konstituimit të Kuvendit, pritet të nisin procedurat kushtetuese për formimin e Qeverisë së re, ndërsa më pas do të zhvillohet edhe procesi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.