Rritja e rasteve me COVID-19, mbi 30 mijë qytetarë kanë marrë dozën përforcuese të vaksinës

Situata epidemiologjike në Kosovë vazhdon të jetë kritike, pasi që javëve të fundit ka pasur rritje të madhe të rasteve të reja të infektimit me koronavirus.

Vetëm dje në Kosovë janë konfirmuar 771 raste të reja, duke quar numrin e rasteve aktive në 4 mijë e 489.

E në situatë të tillë, institucionet shëndetësore por edhe krerët e shtetit dhe vetë ministri i Shëndetësisë, vazhdimisht u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen me dy dozat e vaksinës, e po ashtu të mos hezitojnë të marrin edhe dozën e tretë dhe dozën përforcuese.

Që nga dhjetori i vitit të kaluar kur edhe filloi dhënia e dozës së tretë dhe asaj përforcuese të vaksinës kundër COVID-19, e deri më sot, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, 33 mijë e 414 qytetarë kanë marrë dozën përforcuese kurse 2 mijë e 165 qytetarë kanë marrë dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19.

Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë, shkruan Telegrafi.

Doza përforcuese fillimisht u tha se jepet  6 muaj pas  marrjes së dozës së dytë të vaksinës, por më vonë MSh kishte njoftuar se doza përforcuese mund të merret edhe 3 muaj pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.

“Shkurtimi i kohës për marrjen e dozës përforcuese është bërë duke u bazuar në hulumtimet e shteteve të ndryshme rreth vaksinimit kundër COVID19, përkatësisht dozës përforcuese, situatës epidemiologjike në vend dhe rajon, pranisë edhe të variantit Omicron të SARS COV-2 si dhe nevojës për vaksinim të plotë të popullatës”, pati njoftuar MSh.

Doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut ordinues. Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë.

MSh-ja kishte njoftuar se dozën përforcuese dhe dozën e tretë mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare sipas intervaleve kohore për dozat e lartë cekura.